Në prag të një megashkëmbimi: Verati vjen në Barcelonë, Nejmari shkon në Paris?

Barcelona dhe PSZH-ja do të mund të bëjnë shkëmbimin më të madh në botën e futbollit gjatë disa dhjetëvjeçarëve të fundit. Klubi katalonjas, sikurse thuhet, është gati që ta lejë brazilianin Nejmar që të largohet nga “Kamp Nou”, por do që të sigurojë shërbimet e plejmejkerit italian të PSZH-së, Marko Verati. Mbas largimit të Cavi Ernandezit, duket qartë se Barcelona nuk ka një plejmekër të vërtetë në lojën e saj, ndërkohë që gjiganti  katalonjas ka një nevojë thelëbësore për një të tillë, duke pasur parasysh mënyrën e lojës së këtij ekipi. E vetmja zgjidhje duket se është Marko Verati që, me lëvizjet e tij në fushë, të kujton Cavin, pasi ai di që t’i diktojë lojën ekipit të vet, t’i ndryshojë ritmin lojës sipas nevojës dhe të asistojë në momentet e duhur. Për të, me të vërtetë, ka nevojë Barcelona, e cila, të thuash të vërtetën, po humbet identitetin e vet të së kaluarës, duke qenë se edhe Andres Iniesta ndodhet tani në moshën e tij “të pjekur”.

Nga ana tjetër, PSZH-ja ka dy vite që po përpiqet që ta blejë Nejmarin, ndërkohë që ky i fundit i pëlqen shumë presidentit të klubit francez, Naser Al-Kelaifi, kështu që ekziston mundësia që ylli brazilian të përfundojë në Paris, këtë verë. Nejmari ka ardhur te Barcelona, më 2013, dhe ai është përshtatur shkëlqyeshëm me Lionel Mesin dhe Luis Suarezin, duke përbërë një treshe “vrastare”, por duket se ai ka nevojë për një sfidë të re në karrierën e tij.

Sfidanti.al