Alvaro Morata i bëri vetes dhuratën më të bukur në ditëlindje duke shënuar golin e fitores për Realin e Madridit në përballjen e ligës spanjolle. Sulmuesi madrilen siguroi fitoren 2-1 ndaj Atletik të Bilbaos në “Santiago Bernabeu” kur kishin mbetur vetëm 7 minuta deri në përfundim. Suksesi bëri që Reali të ngjitej i vetëm në krye të renditjes së kampionatit, me 21 pikë, ndaj 20 të Seviljes dhe 19 të Barcelonës. Sevilja mposhti më herët 1-0 Atletikon e Madridit, ndërsa Barça fitoi të shtunën 3-2 në Valencia, veçse mes polemikave të shumta.
Përballja e Realit me baskët në Madrid nisi mirë kur Benzema shënoi që në minutën e 7-të, por Bilbao reagoi dhe barazoi shumë shpejt. Në minutën e 27-të, goditi Merino dhe ky rezultat mbajti deri pranë fundit kur shënoi Morata. Kristiano Ronaldo vazhdon të mos jetë në formë dhe nuk shënoi përsëri, edhe pse pati një rast të pastër në fund.
B. Kuka