Mesi tremb më shumë se Barcelona, ylli argjentinas gati të fitojë gjithçka!

Po hyjmë në nëntor, dhe ai ka pak gola, por sërish i ka trembur të gjithë. Lionel Mesi, tashmë që ka lënë pas dy dëmtime që e penguan shumë, është kthyer në formën e tij të më mirë, siç u pa qartë në sfidën ndaj Vajadolidit. Barcelona fitoi 5-1, dhe kapiteni ishte kudo, duke shënuar dy gola, e duke shërbyer dy asiste. Në portën kundërshtare, topin e dërguan edhe mbrojtësi Lengle, Arturo Vidal dhe Lius Suarez.

Katalanasit u rikthyen në vendin e parë me 22 pikë pas 10 javëve, dhe po ashtu iu afruan ritmit të tyre të zakonshëm me mesatare gati 3 rrjeta për ndeshje. Cila është arsyeja që Mesi shkëlqeu kaq fort? Argjentinasi arriti formën maksimale sepse tashmë ka shumë minutazh në fushë, gjë që e ka ndihmuar të kapë ritmin e duhur.

Jehona mediatike nuk vonoi aspak. “El Mundo Deportivo”: Kthehet lideri! Një Mesi i zjarrtë bën Barcelonën që të fluturojë me dy gola të shkëlqyer, dhe dy asiste! Gazeta jep opinionin se argjentinasi është për Topin e Artë!

“Sport”: Mesi tani është këtu! Ylli firmosi ndeshjen e tij më të mirë të sezonit. Barça rikuperon kryesimin në La Liga, duke arritur fitoren e 7-të radhazi! “L’Esportiu” në gjuhën katalanase: Është kthyer! Barça, goleadë ndaj Vajadolidit, e udhëhequr nga një Mesi spektakolar, që tregon se është në nivelin e tij më të mirë!

Vetë Mesi ka një lloj kushti për trajnerin Valverde, pasi i ka thënë se pranon më mirë ta nisë ndeshjen nga stoli, sesa të zëvendësohet. Kapiteni thotë se ndeshjet zgjidhen në minutat e fundit, dhe ai dëshiron të jetë në fushë. Falë numrit 10, Barcelona po shkëlqen në sfidat e fundit në La Liga, edhe pse nuk ka bindur sa duhet në Champions.

Sfidanti.al