Mesi thotë se nuk shqetësohet, por Barça ”fut ujë” nga të gjitha anët

Barazimi me Bilbaon ishte rezultati i tretë jo i mirë radhazi. Barcelona mbeti vërtet në krye të La Ligës, por vetëm sepse Reali nuk diti të fitojë për vete, ndërsa kapiten Mesi u shpreh se ishte i qetë. “Nuk shqetësohemi sepse është fillimi i sezonit, – tha ai, – ka ende shumë kohë deri në fund. Kemi vetëm inat me veten që nuk po arrijmë të fitojmë, ndonëse kemi pasur raste për ta bërë”.

Vetë Mesi luajti vetëm në pjesën e dytë duke e kthyer Barcelonën në shina, ndërsa mediat spanjolle u tallën me katalanasit duke thënë se “jeta është shumë e vështirë pa Ksavin dhe Iniestën”. Dy legjendat ikën njëri pas tjetrit dhe Kutinjo apo Rakitiç nuk po arrijnë ta shtyjnë “varkën” përpara. Gjithsesi, mund të jetë një sezon i çuditshëm, pasi me largimin e Ronaldos edhe Reali duket më i dobët, dhe një Barçë mediokre mund të shpallet sërish kampione e Spanjës. Nuk dihet vetëm nëse kjo do të mjaftojë për të realizuar premtinin për tifozët, fitoren e Championsit.

Sfidanti.al