Ish-pjesëtari i përfaqësueses së Anglisë Stiv MekManaman po bëhet, gjithnjë e më shumë, aktiv në media gjatë kohëve të fundit, duke dhënë mendimet e tij për zhvillimet më të fundit në futbollin e sotëm. Ai foli, gjatë këtyre ditëve, edhe për zhvillimet në Primerën spanjolle, për klubin e tij të dikurshëm, Realin e Madridit, dhe largimin e Kristiano Ronaldos. Sipas MekManamanit, kampioni aktual i Evropës nuk ka asnjë shans që të triumfojë në Primera me “garniturën” e tanishme të futbollistrëve që ka në dispozicion, pra, nëse nuk do të sjellë lojtarë të rinj.
“Të gjithë ekipet po përforcohen, ndërkohë që Reali mbeti pa një nga lojtarët më të mirë në historinë e tij dhe ende nuk ka gjetur një zëvendësues të tij. Është e vërtetë se kanë ardhur Viniciusi që në të ardhmen do të mund të bëhet yll, dhe Odiozola, por, ama, nga ekipi ka ikur Ronaldo që është në gjendje të shënojë në çdo ndeshje dhe të bëjë gjëra të jashtëzakonshme. Bëni krahasimin mes dy ekipeve. Barcelona ka sjellë Malkolmin, Arturin e Lenglen dhe kini parasysh se atje është edhe Kutinjo, pa përmendur Mesin. Nëse do të shihni diferencën në tabelën e sezonit të kaluar dhe kini parasysh edhe largimin e Ronaldos, atëherë, unë nuk e kuptoj sesi Reali do të mund ta mposhtë Barcelonën në Primera”, vuri në dukje Stiv MekManamani.
Sfidanti.al