Më në fund Modriçi, Reali i Solarit nuk duket kaq i keq!

Ata që ndoqën ndeshjen në “Bernabeu” ndaj Seviljes padyshim thuajse e fshinë nga mendja katastrofën e fazës së parë ndaj kësaj skuadre, me shifrat 0-3. Reali që u shfaq sot para tifozëve të vet ishte diçka tjetër, dhe jo thjesht sepse fitoi 2-0. Djemtë e trajnerit Solari sikur kishin rifituar atë magjinë e ndeshjeve të mëdha, edhe pse mjaft nga yjet nuk ishin në fushë.

Pa Kristianon prej kohësh, pa Iskon, pa Bejlin e Marselon, Solari ndjeu kënaqësi sepse vendimet e tij dolën të drejta. Benzema bëri mirë që nuk u operua dhe u pa në fushë, të rinjtë si Sebajos, Vinisius dhe Regijon ishin të shkëlqyer, por sidomos publiku u lumturua nga “ringjallja” e të adhuruarit të tyre të ri, Luka Modriçit.

Mesfushori kroat luajti ndeshjen më të mirë të sezonit, dhe duket se pushimi i dimrit (edhe pse me stërvitje) i ka bërë mirë. La pas lodhjen e gjysmës së parë të vitit 2018, kulmuar me Championsin dhe sidomos me Kupën e Botës, ku arriti deri në finale me kombëtaren e tij. Me një Modriç të tillë, Reali mund të ketë shpresë për trofe, pse jo edhe për më të rëndësishmit, ndonëse Barcelona duket sërish e paarritshme në La Liga.

Golat ndaj Seviljes u shënuan nga Kasemiro dhe nga Modriç, ndërsa skuadra kundërshtare u duk shumë e dobët përballë kampionëve të Europës dhe të botës në fuqi.

Sfidanti.al