Disfata në Kupën e Ligës ende djeg, por për fat, kundërshtari që i mundi u doli shumë shpejt përballë. Gingompi (Guingamp), ekipi i fundit në renditjen e Ligës së Parë të Francës, shkoi përsëri në stadiumin e Paris SG, dhe pagoi për “mëkatin” e pafalshëm.
Eleminimi që i bëri kampionëve ishte mrekullia e sezonit, ndërsa disfata 0-9 pësuar këtë të shtunë ishte katastrofa e vitit. Parizienët, padyshim, nuk e patën të vështirë duke llogaritur diferencën e klasit, ndonëse kjo diferencë nuk e shmangu atë që ndodhi në 9 janar.
Edinson Kavani dhe Kilian Mbape shënuan nga 3 gola secili, ndërsa Nejmar pati dy rrjeta. Një tjetër u realizua nga mbrojtësi belg, Tomas Mënier. Skuadra e trajnerit Tomas Tuhel ka 53 pikë pas 19 ndeshjeve, duke qenë 13 pikë para vendit të dytë me dy ndeshje më pak të luajtura.
Sulmuesit e saj po luftojnë për Këpucën e Artë të sezonit në Francë, dhe pse jo edhe për Këpucën e Artë të Europës. Mbape ka 17 gola në 13 ndeshje të luajtura deri tani, Nejmar ka arritur në 15 gola në 14 ndeshje, ndërsa Kavani ka shënuar 14 gola në 13 takime. Ky i fundit vazhdon të thellojë rekordin e tij të rrjetave, si shënuesi më i mirë në historinë e klubit. Deri tani ka arritur në 184 gola.
Sfidanti.al