“Mbreti” i dëmtimeve Bejli, a po kalon muajt e fundit në Madrid?

Media spanjolle shkruan se Reali i Madridit është bërë pishman se nuk pranoi që ta shiste Garet Bejlin gjatë sezonit veror të kaluar, ndërkohë që ky sulmues uellsian po pëson dëmtim mbas dëmtimi dhe çmimi i tij po bie, dita-ditës. Thuhet se Reali, tanimë, e ka marrë vendimin për shitjen e tij, por, momentalisht, çmimi i tij është “vetëm” 85 milionë euro, ndërkohë që klubi “mbretëror” ka frikë se ai do të bjerë edhe më shumë deri në verën e ardhshme. Sa për dijeni, qëkur ka ardhur në Madrid te Reali, Bejli ka pësuar 19 dëmtime!

Sidoqoftë, Junajtdi ende vazhdon të tregojë interes për Bejlin, ndërkohë që nga “Old Trafordi”, në verë, do të largohen Mata, Eerera, Blindi dhe ka mundësi edhe Felaini, kështu që te “djajtë e kuq”, verën e ardhshme, priten ndryshime të mëdha. Reali, mbas shitjes së Bejlit, do të hapë vend për sjelljen e një lojtari yll të ri dhe, sipas gazetës “Marka”, në listën e tij, ndodhen vetëm dy lojtarë, Hari Kein dhe Nejmari. Që ta realizojë këtë synim, klubi madridas ka bërë gati 200 milionë euro. Sido që të jetë, duket qartë se Garet Bejli po kalon muajt e fundit te Reali.

Sfidanti.al