Barcelona e ka tashmë trajnerin e ri, vetëm pak orë pas shkarkimit të Setienit, dhe pak ditë pas eleminimit nga Bajerni në Champions, veçse Ronald Kuman e di se çfarë detyre e vështirë e pret. Tekniku holandez mbërriti dje pasdite në aeroportin Prats të kryeqendrës katalanase, dhe të paktën pati me vete një raport mjekësor”, ku thuhej se ai nuk kishte probleme të mëtejshme me zemrën, dhe mund ta vazhdonte profesionin në nivelet më të larta. Qoftë kështu, dhe holandezi të jetë me shëndet të plotë.
Gjithsesi, edhe ai vetë e di se problemet ende nuk kanë nisur dhe se do të jetë një rindërtim i vështirë për Barcelonën. Mediat katalanase e rikujtuan se Lionel Mesi ka shumë pushtet në “Kamp Nou”, dhe se ai nuk do të dëshirojë që të largohen shokët e tij, Luis Suarez dhe Arturo Vidal, ndërsa besohet se klubi nuk ka ndërmend t’i mbajë. Një shenjë e qartë e pushtetit të kapitenit është shkarkimi i drejtorit sportiv, Erik Abidal, që pati përplasje me argjentinasin në fillim të këtij viti. Gjithsesi, dëshira më e madhe e Mesit mbetet që ai të luajë sërish me Nejmarin në krah, por nuk dihet nëse klubi i ka mundësitë financiare për t’ia plotësuar edhe këtë.
Sfidanti.al