Magjia e Messit në Camp Nou do të vazhdojë; ylli argjentinas rinovon me Barçën deri në 2021

Lionel Messi do të vazhdojë të bëjë të lumtur tifozët e Barcelonës edhe për 4 vjet të tjerë. Sulmuesi argjentinas tregoi edhe njëherë besnikërinë ndajh katalanasve duke rinovuar kontratën me ‘blaugranat’ , i 8 në 12 vitet e fundit. Në komunikatën e publikuar nga Barcelona, Messi do të nënshkruajë një kontratë të re që skadon në 30 qershor të vitit 2021, firmë që do të hidhet menjëherë sapo të kthehet nga muaji i mjaltit për t’u bashkuar me skuadrën për përgatitjet e sezonit të ri. Detajet e kësaj kontrate të re të Lionel Messit nuk dihen, por sipas medias iberike ajo ka një klauzolë të zgjidhjes së saj për 300 milionë Euro. Karriera e Messit shkëleu pikërisht te Barcelona ku ai ka dhuruar edhe magjitë e tij dhe jo vetëm për të pranishmit në Camp Nou. Mbërriti në Catalunya kur ishte vetëm 13 vjeç për t’u shndërruar në futbollistin e rekordeve. Me Barcelonën ai ka mundur të fitojë 30 trofe të shoqërura këto edhe me fitimin e Topit të Artë plot 5 herë, ndërkohë që ka mundur të bëjë të tijën edhe Këpucën e Artë, plot 4 herë. Messi ka 507 gola në 583 ndeshje duke u bërë shënuesi më i mirë në historinë e Barcelonës, shifra këto që pritet të rriten akoma më shumë për të shtuar legjendën e këtij futbollisti.

sfidanti.al