Lopetegi, nga shkarkimi i turpshëm tek “fallxhori” i trajnerit të Realit!

U largua pas vetëm 14 ndeshjeve dhe ishte një dëshpërim i madh për një yll që po ngjitej. Hulen Lopetegi u kthye në fare pak javë, nga një trajner me të ardhme të madhe tek Spanja e tek Reali i Madridit, në një të turpëruar dhe të papunë. Ai u shkarkua në “Santiago Bernabeu”, por pas një kohe jo shumë të gjatë mund të vendosë fatin e trajnerit madrilen, Zinedin Zidan.

Sevilja e tij pret këtë të shtunë Realin, në orën 16:15 në duelin e La Ligës, dhe një humbje e kampionëve mund të bëjë që Zidan të shkarkohet. Gjendja e teknikut francez është tepër e vështirë pas humbjes në kampionat ndaj Alaveshit dhe në Champions në Ukrainë ndaj Shahtarit të Donjeckut. Përsa i përket Lopetegit, pavarësisht humbjes së rëndë 0-4 në shtëpi ndaj Çelsit në Ligën e Kampionëve, sërish ai është mjaft i vlerësuar sepse me Seviljen fitoi Ligën e Europës edicionin e kaluar, si dhe u kualifikua për në Champions, duke qenë në pozita të mira për të kaluar në turin tjetër.

Sfidanti.al