Ksavi – këshillë Barcelonës: Blini shpejt “Ksavin afrikan!”

“Truri” i dikurshëm i Barcelonës, Ksavi Ernandes, thotë se në skenë ka dalë një lojtar që i ngjan shumë atij. Legjenda e Barcelonës i bëri edhe një rekomandim ish-klubit të tij që të sjellë në “Kamp Nou” futbollistin e ri afrikan, Zhan Mishel Seri, që shumëkush e quan si “Ksavi afrikan” që, aktualisht, luan me Nicën franceze. Sidoqoftë, ka pak të ngjarë që krerët e Barcelonës ta dëgjojnë këshillën e Ksavit, pasi ata, tanimë, kanë vendosur që të blejnë futbollistin brazilian Paulinjo që luan në Kinë dhe për të cilin, tani, sikurse mësohet, klubi katalonjas ka paguar 40 milionë euro, një shumë, me të cilën do të mund të blihej edhe Ksavi afrikan”.

“Kur më thanë se një lojtar që luan me Nicën, e quajnë edhe ‘Ksavi afrikan’, vendosa që ta ndjek lojën e tij. Në fakt, unë nuk dija asgjë për të, kështu që e pashë në disa ndeshje dhe u befasova. Jepte me saktësi topa të shkurtër e të gjatë, kishte një inteligjencë mjaft të mirë taktike, ndërsa e organizonte mirë lojën, duke dhënë pasime magjike vendimtare…. Dhe unë thashë me vete: ‘Nëna ime, por ky qenka një lojtar i shkëlqyer që mund të luajë në mesfushë me Barcelonën”, tha Ksavi.

Sfidanti.al