Reali do t’i luajë pa njërin prej lojtarëve të tij më të mirë disa nga ndeshjet më të rëndësishme të mbylljes së fazës së parë. Alvaro Morata pësoi dëmtim në miqësoren e Spanjës ndaj Anglisë, dhe konkluzioni i mjekëve është: një muaj pushim. Kjo do të thotë se trajneri Zinedin Zidan nuk do ta ketë sulmuesin spanjoll për “El Klasikon” në “Kamp Nou” kundër Barcelonës, por edhe për sfida të tjera.
Ish-futbollisti i Juventusit, që pësoi një dëmtim muskulor, do të humbasë derbin ndaj Atletikos së Madridit, dhe po ashtu dy sfida të forta në Champions, ato ndaj Sportingut të Lisbonës dhe Borusias së Dortmundit. Në Europë, të paktën mungesa do të ndihet më pak pasi Reali është në pozicion të mirë për t’u kualifikuar, dhe i duhet vetëm 1 pikë. Për më tepër, Zidan po rikuperon edhe sulmuesin tjetër Karim Benzema.