E besoni,  Barça mund të sjellë Ronaldinjon në vend të Dembeles?

Një lojtar i ri mund të vijë në çdo moment dhe mund të luajë në La Liga dhe Kupën e Mbretit, por jo në Ligën e Kampioneve. Osman Dembele u dëmtua, të shtunën e kaluar, dhe, dje, ai u nis për në Helsinki, ku do t’i nënshtrohet një operacioni, kështu që ai do të qëndrojë jashtë fushës 3 ose 4 muaj. Në këto kushte, nuk do të jetë habi që Barcelona të kërkojë ndonjë lojtar që ta zëvendësojë atë gjatë kësaj kohe. Barcelona mund të sjellë çdo lojtar të ri pa kontratë. Në La Liga janë njoftuar dhe jane regjistruar 23 lojtarë, ndërkohë që çdo klub ka të drejtë për 25 të tillë. Po ashtu, federata spanjolle e futbollit u lejon klubeve (madje, edhe atyre që kanë dërguar emrat e 25 lojtarëve) që të zëvendësojnë ndonjë lojtar, nëse ky i fundit dëmtohet dhe do të mungojë më shumë se pesë muaj e gjysmë. Bëhen lëshime edhe në rastin e dëmtimeve jo të rënda, por vetëm për sjelljen e lojtarëve të lirë dhe jo për blerjen e lojtarëve që kanë kontrata.

Atëherë, kush do të mund të vijë te Barcelona? Pse jo edhe Ronaldinjo magjik që, tani, është 37 vjeç, por ende nuk është “pensionuar” dhe është lojtar i lirë, pra, pa ndonjë kontratë, ndërkohë që ai ende është pjesëtar i Barcelonës! Ndoshta, kjo gjë duket jo shumë potenciale, por, ama, ligjërisht, është e mundur.

Sfidanti.al