Diego Godin, kur as dëmtimi nuk të pengon të fitosh

Nuk jemi në epokën kur Franc Bekenbaueri luante me shpatullën të nxjerrë apo kur Terri Baçer kishte kokën të përgjakur e të fashuar. Gjithsesi, heronjtë ekzistojnë dhe nuk ka asnjë çudi që njëri prej tyre është lojtar i Diego Pablo Simeones. Diego Godin, i dëmtuar e duke çaluar, këmbënguli deri në fund dhe shënoi golin vendimtar, në sekondat e fundit të ndeshjes Atletiko Madrid-Atletik Bilbao.

Mbrojtësi uruguajan ishte në dyshim përpara ndeshjes, por Simeone vendosi ta aktivizonte duke rrezikuar. Ashtu siç pritej, ai ndjeu shqetësime fizike, por u detyrua të mbetej në fushë sepse Atletiko i kishte bërë të tre ndërrimet. Sakrifica u shpërblye, ndonëse goli ishte “për infarkt”, sepse fillimisht gjyqtari e anuloi, por për fat në La Liga është pranuar VAR-i, dhe teknologjia e quajti të rregullt duke vulosur fitoren me përmbysje 3-2.

Atletiko e Simeones po kalon një sezon të çuditshëm, si të gjithë ekipet e fortë në Spanjë. Edhe pse ka gabuar disa herë, sërish tani është pranë kreut dhe pretendon titullin, ndërsa në mesjavë fitoi bindshëm 2-0 me Dortmundin.

Sfidanti.al