Dembele tallet me Barçën, por mirë ia bën se vetë e paguan “sa frengu-pulën”!

Nga një lojtar mund të priten budallallëqe, por një e tillë nuk mund të mendohej. Usman Dembele, një futbollist i prerë për gjumash, guxoi dhe bëri pëlqim një postim në rrjetet sociale, që ishte një fotomontazh, dhe ku ai paraqitej me fanelën e Liverpulit, në vend të holandezit Vajnaldum, në fitoren 4-0 të anglezëve ndaj … Barcelonës! Po, po, pikërisht ndaj ekipit ku ai paguhet dhe (mendohet që) luan.

Ky është akti i fundit i një futbollisti që talentin e përdori për të bërë para (nuk dihet sesa të lumtur e bën kjo gjë), dhe për t’u sjellë si fëmijë i keq me ish-klubin e tij, Dortmundin. Nuk harrohet fakti se ai braktisi ekipin dhe nuk deshi t’ia dinte për asgjë, mjaft që ta linin të shkonte tek Barça. Katalanasit, që sapo kishin humbur Nejmarin, ishin në ethe për një zëvendësues që të bënte bujë, dhe paguan 105 milionë euro tek Dortmundi për Dembelenë. Edhe pse lojtar tepër i talentuar, ai më shumë krijoi probleme sesa ndihmoi, duke u bërë problem për gjumin e tij të vonshëm, parregullsinë, si dhe dëmtimet. Me gjasë, tani e ka mbushur kupën që “ta heqin qafe”!

Sfidanti.al