‘Përpara se të përfundoj mandatin tim si president në 2021, do të nënshkruaj rinovimin me Mesin-këto ishin fjalët e Josep Maria Bartomeu që rezultuan të jenë muzikë për veshët e tifozëve të Barcelonës. Këtë deklaratë kreu i klubit blaugrana e bëri gjatë një interviste për televizionin spanjoll TVE.
‘Messi do të qëndrojë këtu-tha Bartomeu në intervistën e tij-jeta e tij është e lidhur me atë të Barcelonës. Do të bëjë atë që bëri Pele te Santos. Besoj se Messi nuk do të ikte nga Barcelona edhe nëse do të kishte klauzolë të zgjidhjes së kontratës prej 1 Euro. Messi është vetë Barcelona’.
Bartomeu foli edhe për cështjen Rakitic që së fundmi ishte vënë në shënjestrën e Interit, ndërkohë që tifozët e zikaltërve kishin nisur të ëndërrojnë për të.
‘Rakitic ka një kontratë me ne-vijoi Bartomeu-është një futbollist që është përmirësuar shumë që nga momenti i transferimit te Barcelona. Prania e tij nuk diskutohet nga askush. I kemi thënë që do ta përmirësojmë kontratën e tij edhe pse jemi vonuar në këtë pikë për shkak të problemeve ekonomike. Rakitic është shumë i vlefshëm për ne’.
Lajmi tjetër që gëzon tifozët e kampionëve të Spanjës ka të bëjë me Andres Iniestën, një prej idhujve të tyre. Bartomeu theksoi se është i sigurt se Iniesta do të bëhet sërish pjesë e klubit katalanas pasi të ketë mbyllur aventurën e tij në Japoni dhe se ai kishte biseduar në lidhje me këtë cështje.
sfidanti.al