“Doktor” Briatore, italiani diagnostikon “sëmundjen” e Ferrarit!

Ishte një shef i madh ekipi dhe këtë e tregoi duke i marrë Ferrarit dy tituj kampion me makinën krejt të panjohur Reno, dhe me një pilot që sapo “kishte dalë nga veza” si Fernando Alonso. Flavio Briatore, pra, është një “docent” në Formula 1, madje një “profesor”, fjala e të cilit duhet të analizohet mirë. Italiani ka fjalë të hidhura për skuadrën më të njohur të vendit të tij dhe të gjithë botës, Ferrarin.

“Prej 8 vitesh Ferrari është njëlloj, i ngadalshëm, – theksoi ai, – pra, kjo nuk është diçka e re. Për mendimin tim, është gabim që Flavio Binoton e kanë bërë edhe drejtor teknik, edhe shef të skuadrës. Binoto është një drejtor i madh teknik, por të dyja detyrat bashkë janë barrë tepër e madhe për një njeri të vetëm. Ferrari ka nevojë për një drejtor teknik dhe një shef që të merren tërësisht me një gjë”.

Briatore u shpreh se nuk pati asnjë dyshim për nivelin e Ferrarit që nga gara e parë në Australi. “Nuk ka ndryshuar asgjë në krahasim me vjet, – tha ai, – nuk e kanë ngushtuar diferencën me Mercedesin. Justifikime mund të gjesh sa të duash, por është fakt që Mercedesi po dominon përsëri”.

Sfidanti.al