Barcelonës i dalin llogaritë edhe pas gafës ndaj Seltës

Menduan rivalët që katalanasit të mos shqetësoheshin më shumë se duhet atje në krye. Liga Spanjolle mbetet interesante, por askush nuk deshi që ajo të bëhej edhe më shumë pas takimeve të javës së 14-të. Gafa e Barcelonës në “Kamp Nou”, me barazimin 2-2 të shtunën ndaj Seltës, nuk u shfrytëzua nga rivalët, madje gjithçka doli më për mbarë.

Vetëm Atletiko përfitoi me suksesin me përmbysje dhe arriti në 30 pikë ndaj 36 të ekipit të Valverdes, por sidoqoftë ekipi i Simeones nuk cilësohet aq i rrezikshëm për Barçën sa Reali. Madrilenët nuk patën ambicie maksimale dhe as formë maksimale për të fituar në Bilbao, duke dalë 0-0 me Atletikun bask. Për më keq, Valencia u mund 0-1 në fushën e Getafes, edhe pse luajti në epërsi numerike për pjesën më të madhe të kohës.

Barcelona natyrisht do të ketë shumë pengesa në rrugën e saj, duke nisur që të dielën në mbrëmje në fushën e Vijarrealit, ndërsa të mërkurën e 20 dhjetorit do të dalë në “Bernabeu” për El Klasikon e parë të kampionatit ndaj Realit. Sidoqoftë, Mesi e shokët e tij i bënë dy barazime radhazi, e bënë gabimin ndaj Seltës, dhe vështirë ta përsërisin. Në renditje, Barça ka 36 pikë, ndaj 31 të Valencias, 30 të Atletikos, 28 të Realit dhe po 28 të Seviljes.

Sfidanti.al