“Tiki taka” e Sitit po nis të rrezikojë seriozisht në Premier Ligë

Për të tretën ndeshje në pak ditë, Mançester Siti rrezikoi të mos fitonte, madje këtë herë edhe që të humbiste. Në “Etihad” ndaj Uest Hemit, Pep Guardiola e ndjeu thellësisht se çdo të thotë të luash kaq shumë ndeshje në kampionatin më të lodhshëm dhe luftarak të botës, dhe ndaj një ekipi që ka nevojë për pikë, si për ajrin që thith në mushkëri.

Këtë herë, “dita” u shpëtua nga goli i David Silvës në minutën e 83-të, ashtu siç u shënua një gol i vonshëm në fushën e Hadërsfildit, dhe akoma më i vonshëm nga Stërling ndaj Sauthemptonit. Lodhja fizike dhe psikologjike po ndihet tek një ekip që dëshiron edhe të bëjë revolucion në “kick and rush” (godit topin dhe vrapo), pra në futbollin anglez, një detyrë dyfish e vështirë.

Gjithsesi, Guardiola e shikon gotën “gjysmë plot”. “Golat në fund të ndihmojnë për besimin dhe dëmtojnë besimin e kundërshtarit, – tha ai, – unë e di sesi ka qenë koha e Sër Aleks Fergusonit”. Pikërisht Mançester Junajtid e di mirë se çdo të thotë të shënosh në fund, ashtu siç bëri në 1999 kur fitoi mrekullisht finalen e Championsit ndaj Bajernit. Këtë javë, Junajtid do ta presë Sitin në “Old Traford” dhe pavarësisht fitores së madhe në fushën e Arsenalit, sërish diferenca me kreun mbeti 8 pikë. Të shohim nëse djemtë e Guardiolës do të kenë sërish karakterin për ta kthyer ndeshjen në favorin e tyre, pikërisht në fund.

Sfidanti.al