Ishin tetë lojtarë të formuar në akademinë e Barcelonës që dolën në fushë në ndeshjen e djeshme në fushën e Alavesit në ligën spanjolle. Trajneri Ernesto Valverde, në nevojë për të “arnuar” skuadrën, u tregua një “katalanas” i flaktë, sikur të ishte Pep Guardiola. Që nga minuta e parë luajtën Aleish Vidal, Zhordi Alba, Pike, Buskets, Iniesta, Deulofeu, Sergi Roberto dhe Mesi, që të gjithë lojtarë të shkollës së famshme “La Masia”.
Me Nejmarin të larguar, Suarezin të dëmtuar, Dembelenë ende jo të prezantuar dhe Paulinjon në stol, Valverde nuk pati rrugë tjetër, përveçse të kthente Barçën në “identitet”, në atë identitet që e ka dalluar në 10 vitet e fundit. Problemi më i madh për trajnerin duket se është pozicioni i mbrojtësit të djathtë, pasi e ka ndryshuar 3 herë në 4 ndeshje zyrtare. Aty u provua Aleish Vidal, Semedo dhe tani Sergi Roberto. Në Alaves, Barça fitoi 2-0 me golat e Mesit, dhe mban ritmin e lartë të fillimit të ligës, me dy suksese në dy ndeshje.
Sfidanti.al