Barça vazhdon fitoren nën shenjën e Obamejangut dhe Dembelesë

Katalanasit triumfuan 3-1 në “Kamp Nou” ndaj Seltës së Vigos dhe vazhduan kthesën pas disa rezultateve zhgënjyese. Memfis Depai shënoi pas një aksioni shumë të bukur të Dembelesë, ndërsa më pas erdhën dy golat e Obës. Ky sulmues ndonjëherë duket sikur nuk është në fushë, por kur i vjen topi aty ku dëshiron, është tepër i rrezikshëm. Tashmë, Obamejangu ka 11 gola këtë sezon në La Ligë, duke qenë tek Barcelona vetëm në fazën e dytë. Afrikani është shënuesi më i mirë i ekipit këtë sezon, me 13 rrjeta gjithsej po aq sa Depai, ndërsa Dembeleja ka 13 asistë, edhe pse ka qenë shumë i kritikuar. Sulmuesi francez është asistuesi më i mirë i kampionatit, me 2 pasime për gol më shumë sesa Karim Benzema i Realit. Me këtë fitore, skuadra e trajnerit Ksavi Hernandez iu afrua shumë synimit për të siguruar vendin e dytë në renditje, që do të thotë jo vetëm pjesëmarrje në Champions sezonin tjetër, por edhe në Superkupën e Spanjës bashkë me përfitimet që vijnë nga kjo. Barça ka 72 pikë në 36 ndeshje ndaj 81 të Realit me një ndeshje më pak, dhe 65 të Seviljes që gjithashtu ka një ndeshje më shumë për të luajtur.

Sfidanti.al