Nga Seferi tek Stenjo Zhunior, si do të jetë “pazari” i Tiranës për vitin tjetër?!

Ky është problemi i madh në Shqipëri. Një ekip që del kampion dhe shkëlqen, rrezikon gjithmonë të humbasë lojtarët kryesorë dhe kështu pritet të ndodhë me Tiranën, që me shumë gjasa nuk do të ketë për vitin tjetër sulmuesit Taulant Seferi dhe Redon Xhixha. Klubi bardheblu do të synojë sulmuesin e Partizanit, Stenjo Zhunior në përpjekje për të mbajtur lart cilësinë e skuadrës për Championsin. Seferi mund të cilësohet si sulmuesi më i mirë në futbollin shqiptar sot për sot. Ai ka realizuar 16 herë në Abisnet Superligë, duke arritur një shpërthim pasi u përshtat në gjysmën e dytë të edicionit të kaluar. Gjithsesi, është e pritshme që shqiptari nga Maqedonia e Veriut të kërkojë një ekip në Europë, ndërsa te kryeqytetasit erdhi pasi luajti tek Jang Bojsi në Superligën e Zvicrës.

Xhixha ishte njëri nga zbulimet e sezonit, ndërsa Tirana e mori nga Laçi. Sulmuesi realizoi 13 gola këtë edicion në Superligë, duke ndihmuar bardheblutë në fitoret e thella ndaj Laçit, Kukësit apo Dinamos, si dhe në sfidat e tjera. Edhe Xhixha ka kërkesa nga jashtë, ndonëse ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete. Gjithsesi, edhe Stenjo Zhunior është një sulmues i fortë, që ka shënuar 11 herë në kampionat për Partizanin, gjë që vlen edhe më shumë në një ekip që realizon më pak se Tirana. Tirana është e sigurt që do të humbasë edhe mbrojtësin Erion Hoxhallari, që e ka deklaruar se ka luajtur derbin e fundit ndaj Partizanit. Futbollisti 26-vjeçar, që është pjesë e kombëtares shqiptare, dëshiron të provojë veten jashtë vendit.

Sfidanti.al