Barça shmangu disfatën me Seviljen, por i humburi ishte Grizmani!

“Për hir të talentit që ke, duhet të kishe shënuar një gol”. Këto ishin fjalët që Ronald Kuman i tha Antuan Grizmanit, ndërsa e zëvendësoi në pjesën e dytë të ndeshjes Barcelona-Sevilja në La Liga. Sulmuesi francez u vlerësua si më i dobëti në fushë nga mediat katalanase dhe ato spanjolle në përgjithësi, në një ndeshje të vështirë në “Kamp Noun” e boshatisur. Përfundimi dihet, 1-1 me gola të shënuar nga Luk De Jong për miqtë dhe Kutinjo për vendasit, po ashtu u kuptua se një skuadër e organizuar prej më shumë se një viti mund të përballojë fare mirë një ekip me superlojtarë, por që ka vetëm disa javë që punon me trajnerin e ri.

Kuman theksoi pikërisht këtë dhe tha se kishte nxjerrë gjëra të mira nga ky barazim. “Po bëjmë përparime, – tha ai, – nuk është e lehtë që të mundësh sot Seviljen. Kemi ende shumë punë për të bërë, por shenjat janë të mira”. Lionel Mesi nuk u duk në formën më të mirë fizike, dhe bëri vetëm një gjuajtje në portë, diçka që nuk ndodh shpesh me të. Gjithsesi, kur edhe Bajerni mezi e mund Seviljen, si mund ta bëjë këtë Barcelona e Kumanit, të paktën sot. Skuadra e trajnerit Lopetegi mori një pikë të merituar në “Kamp Nou”, diçka që kishte 10 vjet pa e bërë, ndërsa ka 18 vjet pa fituar në atë stadium.

Sfidanti.al