Barça-Real, duel interesant për “të padëshiruarin” e PSG-së, Nejmar

Edhe e duan, edhe dyshojnë tek ai, por e kanë të qartë se përderisa vështirë se qendron në Paris, Nejmar mund t’u shënojë “gol”. Barcelona e Reali janë në një luftë që nuk e kishin dashur për shërbimet e brazilianit, i cili sipas batutës së filmit shqiptar, “në mos njëri, tjetri, Melkën do të ma marrë”! Asnjëri nga klubet spanjollë nuk heq dorë, dhe secili ka propozimet e veta. Paris SG duket se ka më shumë dëshirë që Nejmari të shkojë në Madrid, dhe i ka kërkuar dy lojtarë drejtuesve në “Bernabeu”.

“Duam Rafael Varanin dhe Vinisius Zhuniorin për Nejmarin, – kanë thënë parizienët, – si dhe gati 100 milionë euro të tjera”. Një operacion që do t’i lejonte kampionëve të Francës që të merrnin edhe Paulo Dibalën nga Juventusi, për të kompletuar ekipin siç duhet (gjithnjë, nëse argjentinasi pranon). Kjo do të thotë më shumë vështirësi për të marrë Pol Pogbanë, por tabloidet e Londrës shkruajnë se francezi nuk është objektiv kryesor i madrilenëve, pasi këtë “nder” e ka Kristian Eriksen i Totenhemit, që mund të merret për 70 milionë euro.

Po Barça? Katalanasit, dihet, duan të kënaqin Mesin, edhe pse financiarisht nuk janë në gjendje shumë të mirë. Ata i kanë propozuar PSG-së të marrë tre lojtarë, Ivan Rakitiçin, Usman Dembelenë dhe Nelson Semedon, që të gjithë të pëlqyer nga trajneri Tuhel dhe Leonardo. Barcelona shpreson gjithnjë tek fakti se Nejmari ka më shumë dëshirë të luajë në “Kamp Nou”.

Sfidanti.al