Barça, mos humbe qëllimisht në Kupë ndaj Seviljes?

Sapo kishte përfunduar ndeshja çerekfinale e Kupës së Mbretit në stadiumin e Seviljes, dhe trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, u pyet për arsyet e humbjes 0-2 të skuadrës së tij. “Vitin e kaluar vuajtëm lodhjen për të ecur përpara në kupë, – tha ai, – këtë vit, po bëjmë më shumë rotacion sepse kështu mendojmë se është më mirë”.

I ngacmuar se mos ndeshja u nënvleftësua qëllimisht, Valverde u përgjigj se “nuk mund të mendohet kështu, por mesa duket kur e fiton kupën shumë vite, nuk të vlerësojnë, ndërsa kur humbet, atëherë kuptohet sesa e rëndësishme është”.

Sevilja fitoi 2-0 me golat e shënuar nga Pablo Sarabia dhe Uisam Ben Jeder, ndërsa Barcelona nuk kishte në radhët e veta Mesin. Ter Shtegen e Buskets po ashtu nuk luajtën, ndërsa Zhordi Alba e Suarez hynë në lojë në pjesën e dytë, ashtu si edhe Kutinjo. Ky i fundit, si edhe Malkom, u kritikuan për lojë të dobët, ndërsa debutoi afrimi i ri i katalanasve, Kevin Prins Boateng.

Sfidanti.al