Barça “me temperaturë”, por të paktën janë rekordet e Mesit

“Kjo skuadër nuk vlen për ta nxjerrë kundër Lionit në Champions”. Gazeta “Marka” u merakos shumë për Barcelonën që luajti “mysybet” ndaj Vajadolidit në “Kamp Nou”, duke fituar vetëm falë një penalltie të Mesit. Synimi u arrit, në të vërtetë, me tri pikët në xhep, kryesimin e sigurt në La Liga, dhe kursimin e energjive për mesjavën, veçse nuk ka qenë kjo filozofia katalanase, të paktën në 30 vitet e fundit, që nga koha e Johan Krujfit. Ndoshta, shitja e biletave në “Kamp Nou” do të jetë përsëri në krizë.

Për tifozët ka të paktën një “rreze drite”. Agjencitë që merren me statistikat zbuluan menjëherë se Mesi, në 11 sezonet e fundit me Barcelonën ka shënuar të paktën 30 gola në secilin prej tyre. “Jashtëtokësor” ishte komenti i statisticienëve. Vështirë që këtë ta ketë bërë ndonjë herë, futbollist tjetër. Mesi humbi edhe një penallti ndaj Vajadolidit, por Barça duket se fitoi vetëm prej tij. Kapiteni provoi 12 gjuajtje, një rekord për një lojtar në një ndeshje, në të 5 ligat e mëdha europiane këtë sezon.

Barcelona kryeson renditjen e La Ligës me 54 pikë ndaj 47 të Atletikos, që fitoi 1-0 në fushën e Vajekanos (Grizman), si dhe 9 pikë më shumë se Reali, që ende nuk e ka luajtur ndeshjen e tij.

Sfidanti.al