Barça, fitore ari në Sociedad, por aspak me stilin e “tiki takës”

Pas dy dështimeve radhazi ishte e pamundur të kërkohej maksimumi. Trajneri Ksavi Hernandez e mori përgjigjen për mburrjen e tij se Barcelona nuk mund të krahasohet me asnjë ekip tjetër në botë për nivelin e spektaklit dhe kërkesat e larta. Disfata me Kadisin në “Kamp Nou” ishte një “dush i ftohtë”, por gjithsesi katalanasit reaguan dhe fituan 1-0 në fushën e Sociedadit duke hedhur një hap të madh drejt kualifikimit për në Champions sezonin që vjen. Për titullin kampion as që bëhet fjalë, por gjithsesi pozicioni në renditje mbetet i mirë. Pjer-Emeri Obamejang vazhdoi sezonin e tij të shkëlqyer, me një tjetër gol, veçse loja e të besuarve të Ksavit nuk ishte aspak ajo e zakonshmja. Sociedadi mbajti topin 55 për qind dhe pati 6 gjuajtje në kuadrat ndaj vetëm 1 të “blaugranëve”, ai top i vetëm që u fut në rrjetë. Barça është në vend të dytë në La Liga me 63 pikë, po aq sa Sevilja e vendit të tretë, por me një ndeshje më pak.

Sfidanti.al