Nuk ishte shfaqja më e mirë e mundshme, por megjithatë fitorja ishte e merituar. E tillë Barcelona e Ksavi Hernandezit që nuk lë shteg për rivalët edhe kur nuk është në nivelin maksimal. Suksesi 2-1 në fushën e Elçes ishte i vështirë, madje i arritur në fund, ndërsa asnjëri nga lojtarët që veshën fanelën “blaugrana” nuk është se shkëlqeu për 90 minuta. As edhe Pedri apo Gavi, ndërsa Pike, Arauho, Ter Shtegen, Buskets, Ferran Torres apo Dembele mund të thuhet se ishin “normalë” apo “tokësorë”. Fidel kaloi vendasit në epërsi, por Ferran Torres barazoi në 61’ dhe Memfis Depai ktheu në gol penalltinë në 84’. Epërsia e katalanasve ishte e dukshme dhe portieri vendas, Edgar Badia, mohoi disa gola. Në fund pati polemika për 11-metërshin e dhënë me ndihmën e VAR-it pasi Elçe nuk ishte dakord. Gjithsesi, Barça arriti të fitojë në një fushë ku më parë ia kishin dalë vetëm Betisi dhe Reali i Madridit. Barça ka tani 48 pikë, duke qenë jo vetëm e sigurt në zonën Champions, por edhe duke menduar për një parakalim ndaj Seviljes që mban vendin e dytë. Rivalët kanë 55 pikë ndaj 48 të katalanasve, por djemtë e Ksavit kanë një ndeshje më shumë për të luajtur.
Sfidanti.al