Atletiko bën lëmsh finalen e Kupës së Mbretit në Spanjë

Nuk është “Bernabeu”, por nuk mbetet edhe aq prapa. “Uanda Metropolitano” do të jetë stadiumi “fringo i ri” që do të presë finalen e Kupës së Mbretit për këtë sezon. Ishte refuzimi i Barcelonës për të luajtur në Sevilje, që e bëri impiantin e Atletikos si alternativën e vetme për këtë finale, meqë Reali as nuk dëgjon të japë “Bernabeun” për katalanasit. Kalendari “thotë” se finalja Barcelona-Sevilja do të zhvillohet në 21 prill, me orarin që mbetet për t’u vendosur.

Gjithsesi, kjo finale është jo pak e rrezikuar, të paktën për momentin. Për shkak të përballjes pritet të shtyhen 3 takime të kampionatit, dhe bëhet fjalë për Atletiko-Betis, Sevilja-Real Madrid e Barcelona-Vijarreal, që planifikohen të luhen në 9 maj. Dakord deri këtu, por presidenti i Atletikos, Serezo, ka kërkuar me forcë që ndeshja e skuadrës së tij ndaj Betisit të mos shtyhet, por të luhet në 22 prill. Pritet të zgjidhet kjo çështje, për të qenë përfundimtare selia e finales dhe data e saj. “Uanda Metropolitano” është stadiumi më i ri në Spanjë dhe në Europë, me kapacitet 67 700 vende.

Sfidanti.al