Atletiko-Barcelonë, madrilenët kërkojnë të largojnë ‘mallkimin’

Për herë të parë ‘Wanda Metropolitano’ do të presë supersfidën mes Atletiko Madrid dhe Barcelonës. Skluadra e Diego Pablo Simeones do të kërkojë që në stadiumin e ri të saj të thyejë një tabu, mungesën 7 vjecare të fitoreve ndaj katalanasve. Nuk ndodh që nga sezoni 2009-2010 që Atletiko nuk arrin të fitojë ndaj Barcelonës. Në atë kohë rezultati i këtij suksesi për ‘Los Colchoneros’ ishte 2-0 dhe autorët e golave ishin Forlan dhe Simao. Gjatë këtyre 7 viteve bilanci  flet për 14 ndeshje të luajtura mes Barcelonës dhe Atletikos me ‘blaugranat’ që kanë 11 fitore dhe 3 barazime.

Megjithatë edhe pse statistikat flasin për këtë thatësirë suksesesh të madrilenëve ndaj Barcelonës, rivaliteti me këtë skuadër ka qenë në nivelet më të larta. Vlen të kujtohet data 17 maj 2014 kur në Camp Nou, Atletiko mori barazimin 1-1 ndaj Barcelonës, një rezultat ky që i dha të drejtën për t’iu gëzuar titullit kampion të Spanjës.  Nëse ka ndonjë gjë që mund të ngushëllojë Atletikon është eliminimi në dy raste të Barcelonës në Ligën e Kampioneve pikërisht në sezonet 2013/2014 dhe 2015/2016.

Sfidanti.al