Në rast se Luis Enrike nuk do të nënshkruajë kontratë re me Barcelonën, krerët e kësaj të fundit kanë piketuar, tanimë, një trajner nga Premier Liga angleze. Të paktën, kështu bëjnë të ditur disa mediume spanjollë dhe anglezë. Ekziston mundësia që Barcelona të mbetet pa shërbimet e Luis Enrikes në fund të sezonit, kështu që udhëheqjes së këtij klubi, në këtë rast, nuk i mbetet gjë tjetër, veçse që, tani, të piketojë pasardhësin e tij të mundshëm.
Ka lajme se Barcelona është e interesuar për trajnerin e Evertonit, Ronald Kuman, që do të mund të kthehet në “Kamp Nou”, nëse Luis Enrike refuzon që ta nënshkruajë kontratën e re. Dhjetorin e kaluar, ai (Enrike) vuri në dukje sesa e vështirë është që të jesh trajner i Barcelonës, pasi presioni është shumë i madh, kështu që ai nuk dha përgjigje, kur u pyet, nëse do të vazhdonte që ta drejtonte ekipin katalonjas edhe në sezonin e ardhshëm. Kontrata e tij ekzistuese përfundon këtë verë, ndërkohë që ende nuk është rënë dakord mes tij dhe kryesisë së klubit, nëse ai do ta vazhdojë bashkëpunimin me Barcelonën.
Evertoni, me Kumanin në krye, në fakt, ka shtatë ndeshje që nuk ka pësuar humbje dhe, në klasifikimin e Premier Ligës, gjendet, menjëherë, pas gjashtë ekipeve më të mira të saj, duke pasur, ndërkohë, mundësinë që të ngjitet edhe më shumë, pasi, aktualisht, zotëron një formë të shkëlqyer.
Ronald Kumani ka luajtur, si futbollist, me Barcelonën gjatë viteve 1989-1995, ndërsa ka punuar si ndihmëstrajner gjatë viteve 1998-2000.
Sfidanti.al