Hulen Lopetegi e mori përsipër Realin e Madridit në një situatë kontraverse, duke saktifikuar stolin e drejtimit të përfaqësueses së Spanjës në Botërorin e Rusisë, por, megjithatë, ai e realizoi ëndrrën e tij, duke nisur një etapë të re në klubin “mbretëror”. Dje, u mbushën plot 100 ditë nga dita e tij e ardhjes në “Bernabe” dhe çfarë ka ndryshuar brenda kësaj kohe: në një plan afatgjatë është herët të flitet, por, brenda kohës së mësipërme, mund të konstatohen pesë ndryshime konkrete që i kanë rënë sy edhe medias sportive spanjolle:
1-Ronaldo: Pritej që largimi i futbollistit më të mirë në botë të linte një boshllëk të dukshëm, për më tepër që, në vend të tij, në klubin madridas nuk erdhi askush nga jashtë. Por, shifrat që janë “të hekurta” dhe nuk mund të lëvizin, tregojnë se Reali pa Kristiano Ronaldon ka shënuar tre gola më tepër sesa gjatë të njëjtit numër ndeshjesh të sezonit të kaluar, Benzema – pesë gola, Bejli – katër, Ramos – tre… Ndërkohë, mbrojtja ka pësuar pesë gola, dy më pak sesa në sezonin e kaluar.
2-Zotërimi i topit: Ekipi i Lopetegit e zotëron më shumë topin sesa ai i Zidanes. Është e vërtetë se lojtarët tani e humbasin topin pak më shpesh, por e rimarrin atë sipas së njëjtës përqindje të sezonit të kaluar.
3-Formacioni: Lopetegi ka sjellë pak më shumë gjallëri në formacionin e Realit që vetëkuptohet ka ardhur si pasojë e krijimit të hapësirës mbas largimit të Ronaldos. Më shumë, ai përdor skemën 4-3-3 me Asension, Bejlin dhe Benzeman përpara, si edhe 4-4-2, kur në sulm luajnë vetëm Benzema dhe Bejli.
4-Numër më i vogël lojtarësh: Në dallim nga Zidane, Lopetegi mjaftohet me gjithsej 15 lojtarë, kurse të tjerët luajnë shumë pak minuta.
5-Mungesë besimi te përforcimet: Me përjashtim të portierit Tibo Kurtoa të ardhur nga Çelsi që gradualisht pritet ta spostojë Navasin, të ardhurit e tjerë pothuajse nuk luajnë. Mariano luajti 17 minuta që ai i shfrytëzoi që të shënonte kundër Romës, talenti brazilian Vinisius ka përfunduar tek ekipi B, ndërkohë që Odriozola nuk duket asgjëkundi.
Sfidanti.al