Kur thua Liga e Kampioneve, mund ta kuptosh Liga e Ronaldos!

Pesë herë fituesi i “Topit të artë” dhe pesë herë kampioni evropian (një herë me Junajtidin dhe katër herë me Realin), Kristiano Ronaldo, me tregolshin e tij e “e mbyti” Atletikon e Madridit dhe e kualifikoi Juventusin në çerekfinale të Ligës së Kampioneve.
Në fakt, ka kohë që Ronaldo është golashënuesi më i mirë në historinë e LK-së dhe, me rastin e tregolshit të tij të ri, ai u përgëzua edhe nga UEFA që me vërtetë nuk kishte sesi të mos ta uronte atë për 125 golat rekord që ai ka shënuar.
Në këto kushte, nuk është habi që ka nga ata tifozë që thonë se Ligës së Kampioneve duhet t’i ndryshohet emri në “Liga e Kristiano Ronaldos”, sepse, sipas tyre, kur thua Liga e Kampioneve, menjëherë të shkon në mendje Ronaldo.
Që ai është i pakrahasueshëm dhe se madje edhe Lionel Mesi është shumë mbrapa tij, e tregon e dhëna se vetëm në fazat eliminatore Ronaldo në çdo ndeshje ka shënuar ose ka dhënë një asistencë goli. Në 77 ndeshje ai ka shënuar 61 gola dhe ka dhënë 16 asistenca goli. Me të vërtetë, Ronaldo është një makineri e pandalshme golash!
Sfidanti.al