Napoli barazoi 1-1 me Milanin në mbrëmjen e së shtunës, një rezultat ky që nuk iu pëlqeu aspak tifozëve napoletanë që shpresonin që skuadra të bënte dicka më shumë për të lënë pas momentet e vështira të javëve të fundit. Ata duket se e kanë humbur durimin dhe në shënjestrën e kritikave kanë vënë pikërisht trajnerin Karlo Anceloti për të cilin në rrjetet sociale kërkohet largimi.
‘Largojeni!’, ‘Shkatërroi një makinë perfekte’ ishin disa prej komenteve të tifozëve napoletanë në profilin e djalit të presidentit të Napolit, Edo De Laurentis në Instagram.
Në fakt trajneri Anceloti duket se e ka humbur busullën në drejtimin e skuadrës dhe statistikat e dënojnë; kualifikimi për në 1/8 e finaleve të Ligës së Kampioneve është I arritshëm ende, por Napoli nuk fiton prej 6 ndeshjesh, nga të cilat 5 janë në kampionat dhe për të gjetur një seri më negative rezultatesh duhet të kthehemi në 2013. Për më tepër, Napoli ka grumbulluar vetëm 20 pikë në 13 ndeshje, më keq se kaq kishte bërë vetëm në sezonin 2011/12 dhe nëse Napoli nuk kthehet shpejt te fitoret rrezikon të mos kualifikohet as në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm; këtë të fundit De Laurentis as nuk do ta mendojë pasi do të krijonte një handikap në ekonominë e klubit.
Sfidanti.al