Vështirë se ka tifozë në botë që të jenë edhe tifozë me qeverinë. Ky është një ligj i pashkruar, aq më shumë kur publikut i jepet rast, siç iu dha në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, madje dy herë radhazi. Ndeshja Vllaznia-Teuta u masakrua nga defektet në sistemin e ndriçimit, që shkaktuan ikjen e dritave në minutën e 15-të dhe pastaj në të 29-ën e pjesës së parë.
Pas ndërprerjes së dytë, një pjesë e tifozëve thirrën “Rama ik”. Gjithsej, u desh të pritej rreth çerek ore, një skandal i vërtetë, aq më tepër për një stadium të modernizuar jo shumë kohë më parë, por ku problemet duket se janë shkaktuar nga mirëmbajtja. Nëse defekte pati dy, gola nuk u shënuan asnjë, madje edhe rastet nuk ishin të shumtë.
Të dyja skuadrat patën frikë nga humbja, ndonëse barazimi nuk i bënte punë aspak, dhe loja ofensive ishte fare e paktë. Nuk mungoi nervozizmi me përplasje të lojtarëve, por pa arritur në dhunë dhe gjithçka u mbyll shpejt, e pa pasoja. Durrsakët pretenduan dy herë për 11-metërsh, por këto pretendime nuk u konsideruan nga gjyqtari Ferataj, i cili sinjalizoi vazhdimin e lojës.
Pas këtij barazimi, Teuta është në vendin e 6-të në renditjen e Superligës me 19 pikë, po aq sa Tirana e Laçi, ndonëse kurbinasit kanë një ndeshje më pak. Vllaznia mbetet e treta nga fundi me 17 pikë, por klasifikimi është shumë i ngjeshur me 5 pikë që ndajnë vendin e parë nga i 7-ti.
Sfidanti.al