Aventurës së Joakin Korreas me fanellën e Interit duket se i ka ardhur fundi. Sulmuesi argjentinas, asnjëherë vendimtar me fanellën e zikaltërve që nga ardhja e tij në vitin 2021, përfundoi në merkato dhe tani mund të largohet nga Milano për t’u kthyer në Spanjë, sërish te Sevija. Inter dhe Sevija kanë qenë në kontakte të vazhdueshme së bashku për të bërë të mundur këtë transferim.
Nëse Korrea largohet, Inter do të kishte gati një zëvendësues dhe gjithashtu në këtë rast do të ishte një rikthim, Aleksis Sançez. “Nino Maravija”, i cili ndërpreu kontratën me zikaltërit vetëm një vit më parë për të fluturar në Francë me Marsejën, do të ishte gati të rikthehej në Milano, me një pagë shumë të reduktuar në krahasim me tetë milionë që përfitonte në aventurën e tij të parë me Interin. Këtë rikthim të mundshëm e ka konfirmuar edhe Beppe Marotta, CEO zikaltër, duke theksuar se ai do të mirëpritej në Milano.
sfidanti.al