Konte sulmon lojtarët e Totenhemit, pritet largimi nga Anglia!

Nëse kishte dyshime, tani edhe ato shuar. Antonio Konte do të largohet nga Tottenham. Kjo është e sigurt, por mbetet për t’u mësuar nëse do të mbyllë apo jo këtë sezon në Premier League. Për të vulosur fatin e tij ka menduar vetë trajneri italian, që nuk ka kursyer asnjë në akuzat e tij menjëherë pas barazimit 3-3 të Totenhem në ndeshjen e fundit kundër Sauthempton. Ajo që ndezi fitilin e shpërthimit të trajnerit ishte fakti se londinezët kryesonin 3-1 dhe u barazuan në fund nga vendasit.

“Nuk jemi një skuadër, – thotë ai, – Shoh lojtarë egoistë që nuk ndihmojnë njëri-tjetrin. Klubi ka përgjegjësi për merkaton. Përgjegjësi kam edhe unë. Po lojtarët, ku janë ata? Këtu janë mësuar të mos fitojnë. Të luajnë për vendin e shtatë dhe të tetë. Kjo nuk bën për mua”.

Fjalë të rënda, që nëse nuk do të ishte për pagën e lartë që duhet të paguajë Totenhem deri në fund të sezonit, atëherë Konte do të ishte shkarkuar menjëherë. Nën drejtimin e teknikut italian, skuadra londineze është jashtë çdo gare për trofe, ndërsa objektiv të vetëm ka vendin e katërt që do të thotë një biletë për në Champions Ligë sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al