Kolumbi, trajneri pezullohet tre vjet, ofendoi tifozët

Një trajner është ndaluar që të hyjë në ndonjë stadium në Kolumbi për tri vite sipas raportimeve të fundit, për shkak të festës së tij të ekzagjeruar që shkaktoi zemërim te tifozët. Efrain Juarez, i cili është trajner i ekipit Atletico Nacional, thuhet se ka provokuar tifozët rival pasi ekipi i tij siguroi një vend në finale të Kupës së Kolumbisë pas fitores ndaj rivalit lokal Independiente Medellin. Juarez i zemëroi tifozët e Medellinit kur ai festoi me plot entuziazëm duke shikuar në të njëjtën kohë tek pjesa ku ishin vendosur tifozët kundërshtarë. Në fakt, vetëm pak minuta më vonë, një luftë shpërtheu në tribuna dhe më pas tifozët pushtuan fushën. Sipas medias spanjolle “La Opinion”, ish-mesfushori i Celticut me gjestet e tij ka bërë që të shpërthejë dhuna në stadium dhe si rezultat disa tifozë tentuan të futen në fushë për ta sulmuar atë. Pas këtij incidenti, policia kolumbiane dyshohet se ia ka ndaluar Juarez që të hyjë për tri vite në një stadium në Kolumbi, teksa përveç kësaj ai duhet të paguajë një gjobë prej 6 mijë eurosh. Në ndërkohë klubi i tij Atletico Nacional përmes një komunikate e ka mbrojtur trajnerin e tyre. “Ne e njohim profesionalizmin e tij, vlerat dhe respektin me të cilin e mban rolin e tij. Festa e tij, e zjarrtë por asnjëherë fyese, demonstron përkushtimin e tij ndaj skuadrës dhe rëndësinë që ka çdo rezultat për klubin tonë”, thuhej në komunikatën e klubit kolumbian.

sfidanti.al