Klubët më të mirë të futbollit në Kinë, gjatë periudhës dimërore të transferimeve, që në këtë vend vazhdoi nga 1 janari deri më 28 shkurt, për blerjen e futbollistëve, shpenzuan 388,3 milionë euro që është shumë më tepër sesa kanë shpenzuar për këtë qëllim 20 klubet e Premier Ligës angleze në janar – 259,5 milionë euro. Në listën e transferimeve më të shtrenjtë kryesojnë braziliani Oskar në Shangai SIPG (70,3 milionë euro) dhe argjentinasi Karlos Tevez te Shangai Shenhua (47 milionë) me një pagë javore prej 363 000 eurosh. Sa për të krijuar një ide se për çfarë parash të çmendura bëhet fjalë, mund të shërbejë fakti, të cilin e përmendin mediumet anglezë, se presidenti i Kinës, Ksi Jingping, ka një pagë vjetore prej 18 770 eurosh!
Vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë, kinezët shpenzuan për blerjen e futbollistëve vetëm 42,2 milionë euro, kurse më 2013 – 29,3 milionë euro. Shuma e parave që klubet kinezë shpenzuan për blerjen e lojtarëve, gjatë periudhës dimërore 2017, është më e madhe sesa kanë shpenzuar të gjithë klubet në Francë (152,5 milionë euro), Gjermani (99,7 milionë), Itali (93,8 milionë) dhe Spanjë (23,4) nga, gjithsej, 369 milionë euro. Sidoqoftë, me qëllim që t’i përmbajë transferimet tepër të shtrenjtë, qeveria kineze vendosi, gjatë këtij janari, midis të tjerave, që, në sezonin e ri, ta ulë deri në tre numrin e lojtarëve të huaj që lejohen të luajnë në një ekip, nga katër që ka qenë deri tani, të çdo kombësi qoftë, plus edhe nga Azia. Ekipi kampion aktual i Kinës, dy herë kampion i Azisë (2013 dhe 2015), Guanzhu Evergrande, ndaj vendimit të qeverisë kineze për kufizimin e numrit të lojtarëve të huaj në ekip, reagoi, duke paralajmëruar se, deri më 2020, në këtë ekip do të ketë vetëm lojtarë kinezë.
sfidanti.al