Kanë qenë të tre lojtarë të Realit të Madridit. Shabi Alonso, sot tek Bajerni, Angel Di Maria i Paris SG dhe Rikardo Karvaljo pritet të bëhen viktimat e radhës së operacionit “këmbët e pastra” në futboll. Mediat informojnë se të tre dyshohen se kanë shkelur ligjet duke mos paguar taksat në rregull kur kanë luajtur në stadiumin “Santiago Bernabeu”. Autoritetet spanjolle duket se po luftojnë fort evazionin fiskal, diçka që paska qenë lënë pas dore, por që qeveritë janë të detyruara ta bëjnë për të pasur moral të qeverisin në një vend në krizë, dhe me papunësi të madhe.
Edhe Radamel Falkao dhe Fabio Koentrao, i pari ish-lojtar i Atletikos, dhe i dyti ish-lojtar i Realit, mendohet se janë nën hetim. Këto lajme janë në vazhdë të “bombës” që shpërtheu se Kristiano Ronaldo dhe Zhoze Murinjo po ashtu i kishin bërë “driblim” taksave, nëpërmjet kompanive të caktuara dhe zhvendosjes së parave në “parajsat fiskale”. Një fakt interesant, që spjegon diçka. Që të gjithë këta futbollistë, me përjashtim të Alonsos, përfaqësohen nga superagjenti Zhorge Mendes.
Sfidanti.al