Kejn, Salah dhe Aguero; ‘mbretërit’ e golit në Evropë të momentit

Herri Kejn, Mohamed Salah, Serhio Aguero, janë këta 3 emra që për momentin po dominojnë në garën për trofeun e ‘Këpucës së Artë’ dhe që të tre sulmuesit janë protagonistët e Premier League. sulmuesi i Tottenhamit, Kejn është në krye të listës së goleadorëve në kontinentin evropian me 23 gola që duke u shumëzuar me koeficentin 2 të kampionatit anglez, shkon në 46 pikë.

Nuk është shumë larg sulmuesi i Liverpulit, Mohamed Salah që deri në këtë moment ka 22 gola në bilancin e tij me 44 pikë të grumbulluara. Në shkallën më të ulët të klasifikimit të përkohshëm të kësaj gare është Serhio Aguero i Mançester Sitit me 21 gola e 42 pikë, po aq sa edhe Edinson Kavani që vetëm para pak kohësh u bë shënuesi më i mirë në historinë e Paris Sën Zhermen.

Ylli i Barcelonës, Lionel Mesi këtë radhë nuk mundi të shënojë për skuadrën e tij në La Liga duke mbetur në kuotën e 20 golave e 40 pikëve në vendin e pestë, pozicion të cilin e ndan me Çiro Imobilen e Lazios. Ndër 10 shënuesve më të mirë të Kontinentit të Vjetër janë edhe Nejmar, Levandovski, Xhonas dhe Ikardi.

sfidanti.al