Po të ishte në dorë të tifozëve, ata do të donin ndeshje të forta çdo ditë të muajit. Sigurisht që një gjë e tillë është e vështire të realizohet, por megjithatë muaji aktual mars i afrohet disi dëshirës së tifozëve, sepse ai përmban një kalendar “të çmendur” ndeshjesh spektakolare, që filloi me ndeshjen e djeshme “El Klasiko” mes Realit të Madridit dhe Barcelonës në “Santiago Bernabeu”. Ky uikend do të rrumbullakoset me derbin italian mes Juventusit dhe Napolit, ndërkohë që në Premier Ligë në “Mersisajd” do të masin forcat Liverpuli dhe Evertoni.
Më pas vijojnë ndeshjet e kthimit të 1/8-së së finaleve të Ligës së Kampioneve (LK), ndërkohë që fundjavën e ardhshme do të konfrontohen Arsenali dhe Junajtidi, kurse do të hidhet edhe shorti për ndeshjet çerekfinale të LK-së. Para fundit të muajit do të zhvillohet derbi i famshëm “Madonina” mes Interit dhe Milanit në “San Siro”, ndëkohë që në ditën e fundit të marsit në “Enfild” do të zhvillohet një derbi tjetër mes Liverpulit dhe Totenhemit.
Sfidanti.al