Juventus, Jhon Lucumi firmos deri në vitin 2030

Juventusi ka zyrtarizuar transferimin e Jhon Lucumi nga Bologna, duke përforcuar repartin e mbrojtjes. Mbrojtësi kolumbian ka firmosur kontratë me “Zonjën e Vjetër” deri më 30 qershor 2030. Lucumi, 28 vjeç, e nisi karrierën te Deportivo Cali, ku debutoi si profesionist që në moshën 17-vjeçare. Me paraqitjet e tij, ai spikati për karakterin dhe forcën fizike në fushë.

Në vitin 2018, mbrojtësi u transferua te Genk, ku fitoi shpejt një vend në formacionin titullar. Gjatë aventurës në Belgjikë, ai u konsiderua një prej mbrojtësve më të mirë të kampionatit. Në vitin 2022, Lucumi iu bashkua Bolognës dhe u shndërrua në një lojtar të rëndësishëm të skuadrës. Në katër sezonet e fundit, kolumbiani regjistroi 152 paraqitje me fanellën e klubit italian.

Ai gjithashtu debutoi në Ligën e Kampionëve, ku arriti të shënonte një nga dy golat e tij me Bolognën. Tashmë Lucumi nis një kapitull të ri në karrierë, këtë herë në Torino. Juventusi beson se mbrojtësi është në kulmin e formës së tij dhe mund të japë kontribut të menjëhershëm. Transferimi vjen në prag të sezonit 2026/27, ku bardhezinjtë synojnë të rikthehen fuqishëm në elitën e futbollit italian. “Mirë se erdhe te Juventus, Jhon!”, ishte mesazhi i klubit për përforcimin e ri.