Në fakt, pseudonimin “Ronaldo i ri” vitet e fundit po u ngjitet shumë futbollistëve të talentuar të rinj evropianë, por ndoshta i vetmi që e meriton atë është Zhoao Feliks. Ky futbollist 19-vjeçar portugez mund të luajë në dy pozicione krahu, por edhe si sulmues qëndror i “fshehur”, duke tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdhenj evropianë.
Në janar ai u shpall lojtari më i mirë i muajit në Portugali, ndërkohë që gjatë katër ndeshjeve të fundit të kampionatit ai ka shënuar tre gola dhe ka dhënë katër asiste golash, si edhe luajti në të dyja ndeshjet kundër Gallatasarajit në 1/16-tën të finaleve të Ligës së Evropës, duke e ndihmuar ekipin e Benfikës që të kualifikohet për 1/8-tën e kësaj kupe.
Pikërisht në ndeshjen kundër ekipit turk të mësipërm Feliksin e ndoqën skautët e Junajtidit, të cilët, sipas medias, do të vijnë shumë shpejt edhe një herë tjetër për futbollistin e ri portugez. Në fakt, Benfika ka vënë për Feliksin një klauzolë shitjeje prej 115 milionë eurosh, por këtë shumë vështirë se do të jetë gati ta paguajë për këtë futbollist të ri portugez ndonjë klub, ndoshta… me përjashtim të Mançester Junajtidit.
Sfidanti.al