Ja cili është formati i Superligës Europiane

Super Liga Europiane fitoi gjyqin përballë UEFA-s dhe FIFA-s në Gjykatën e të Drejtave të BE-së. Kështu menjëherë është publikuar një video e cila shpjegon se si ky kompeticion do të funksionojë, duke përfshirë 64 skuadra dhe tre divizione (Star, Gold dhe Blue) me ngjitje dhe rënie nga kategoritë. Skuadrat do të luajnë minimumi 14 ndeshje në sezon, 7 në shtëpi dhe 7 si udhëtuese, teksa do të ketë dy faza, atë të kampionatit dhe një “play off” në fund.

Formati?

Superliga parashikon të luhen 14 takime (7 në shtëpi dhe 7 jashtë fushë) në fazën e parë, të cilat do të luhen nga shtatori deri në prill. Sipas “A22 Sports Management” një sezon i Superligës do të ndahet në dy faza. Në fillim është sezoni i rregullt dhe më pas do të luhen finalet. Kompeticioni do të jetë i hapur për të gjithë dhe do të bazohet mbi meritat sportive si dhe do të ketë promovim dhe zbritje nga kategoria.

Si do të jetë rrugëtimi drejt finales?

Katër ekipet e para të grupeve të Star League dhe Gold League dhe dy ekipet e para të grupeve të Blue League, do të ndeshen me njëra–tjetrën në takime me sistem me eleminim direkt. Ndërsa finalja do të luhet në një fushë asnjanëse.

Si do të përzgjidhen ekipet në Superligë?

Sistemi “i hapur” i Superligës bën që në këtë kompeticion skuadrat pjesëmarrëse të jenë të ndryshme në vazhdimësi. Në ç’do sezon dy të fundit Star League dhe Gold League do të bien automatikisht nga kategoria dhe do të zëvendësohen nga fitueset e play-off të Gold League dhe Blue League.

Si do të futen ekipet në Superligë?

Në ç’do sezon 20 prej 32 skuadrave të Blue League do të dalin nga kompeticioni për ti hapur vend 20 skuadrave të reja, të cilat do të vijnë nga kompeticionet kombëtare.

A zëvendëson Superliga kompeticionet kombëtare?

Sipas “A22 Sports Management”, Superliga do të jetë në përputhje me kompeticionet kombëtare dhe do të mbahet në mesjavë.

sfidanti.al