Inter përfundon mes polemikave, komplimenton Sommer

Komplimentet në rrjetet sociale që Inter i bëri portierit të tij Yann Sommer, i cili arriti në çerekfinale të Euro 2024 me Zvicrën, bëri që shumë tifozë të shpërthenin dufin e tyre në internet. Në fakt, ishte Italia ajo që e pagoi çmimin dhe për më shumë blloku i lojtarëve zikaltër që luajnë për kombëtaren italiane. Skuadra e teknikut Spalletti mbështetej kryesisht te lojtarët e Inter: Bastoni, Darmian, Dimarco, Barella dhe Frattesi. “Po 5 interistët e eliminuar me Italinë, atëherë?”, “Si tifoz i Inter distancohem”, “Çfarë kohëgjetje”, janë disa nga komentet e shumta në postimin e klubit kampion të Italisë, i cili zakonisht uron lojtarët e tij në rast suksesi. Këtë herë duke shkaktuar një stuhi polemikash. Zvicra mposhti 2-0 Italinë në ndeshjen e parë të 1/8 të finaleve të kampionatit Europian, duke e mbyllur ëndërrën e të kaltërve për të mbrojtur kurorën e kampionit kontinental. Helvetët e dominuan takimin dhe zhbllokuan ndeshjen me Freuler në minutën e 37′ dhe mbyllën llogaritë në fillimin e pjesës së dytë me një super gol të Vargas. Një eliminim i ndjerë në Itali e tani Inter vë gishtin mbi plagë.

sfidanti.al