Iker Casillas i tha mjaft futbollit të luajtur duke bërë të ditur tërheqjen e tij nga fushat e lojës në moshën 39 vjecare. Portieri legjendar i Realit të Madridit e Spanjës, sot te Porto vendosi të varë dorezat në gozhdë duke i dhënë fund një karriere që zgjati 22 vjet dhe që u pasurua nga trofetë më të rëndësishëm. Përvec 7 kampionateve kombëtare në Spanjë e Portugali, Casillas ka fituar 3 herë Ligën e Kampioneve me Realin e Madridit si dhe një Botëror e 2 Evropianë me përfaqësuesen spanjolle.
Gjatë aventurës së fundit të karrierës në Portugali duke mbrojtur portën e Portos, Casillas pati probleme të mëdha me shëndetin teksa pësoi një infarkt në zemër në vitin 2019 që i trembi të gjithë. Pas 2 muajsh Casillas u kthye në fushe dhe në këtë sezon të fundit ai ishte pjesë e skuadrës së Conçesaios, por nuk zhvilloi as një ndeshje të vetme
‘Gjëja më e rëndësishme është rruga që përshkin dhe personat që të shoqërojnë, jo destinacioni-shkruante Iker Casillas në Twitter-me punë e përpjekje mendoj se mund të them se ky i imi ishte rrugëtimi dhe destinacioni që ëndërroja’
Edhe Reali i Madridit i bëri homazh ish portierit spanjoll që me fanelën Los Blancos luajti 725 ndeshje zyrtare në 16 sezone nga 1999 deri në 2015. ‘Real Madrid dëshiron të shprehë të gjithë vlerësimin, admirimin dhe dashurinë për një prej legjendave më të mëdha të klubit tonë dhe të botës së futbollit-lexohet në një komunikatë të klubit-portieri më i mirë në historinë e Realit të Madridit dhe futbollit spanjoll, erdhi në shtëpinë tone kur ishte vetëm 9 vjec. Mbrojti fanelën tonë për 25 vjet duke u bërë një prej kapitenëve me ikonë. Sot, një prej futbollistëve më të rëndësishëm në 118 vjet të historisë sonë që e ka rritur legjendën e Realit të Madridit me punën dhe sjelljen e tij brenda dhe jashtë fushës së lojës, i tha lamtumirën futbollit të luajtur’.
Sfidanti.al