Ikardi pret Juven deri në 10 gusht, më pas do nisë bisedimet me Napolin

Tashmë është e qartë se e ardhmja e Mauro Ikardit do të jetë larg Interit. Sulmesi argjentinas është mes Juventusit dhe Napolit dhe tashmë ka përcaktuar një datë për të mësuar se cila do të jetë e ardhmja e tij dhe kjo datë është pikërisht 10 gushti. Nëse deri në këtë datë nuk do të ketë një transferim të tij në Torino, atëherë Ikardi do të jetë i lirë të kërkojë një skuadër tjetër që më konkretisht është Napoli.

Mes Ikardit dhe Juventusit ka një akord verbal i arritur mes Fabio Paraticit dhe Vanda Narës. Ikardi e di shumë mirë që Mauricio Sarri është një aleat i tij, prandaj edhe zgjedhja e parë e tij është pikërisht skuadra e Juventusit. Megjithatë futbollisti ka dilemat dhe pikëpuyetjet e tij teksa stërvitet i vetëm në Appiano Gentile. Kjo për faktin se drejtuesit e Juventusit nuk kanë hyrë ende në kontakte me Interin as në formë zyrtare e as jo zyrtare. Zonja e Vjetër është në pritje se e di shumë mirë që koha është në anën e saj pasi cdo ditë që kalon bën që vlera e kartonit të futbollistit të bjerë.

Por Ikardi nuk ka ndërmend të arrijë deri aty sa të bëjë një vit pushim te Interi duke marrë pagën te zikaltrit pa u grumbulluar asnjëherë. Pikërisht për këtë arsye, argjentinasi i ka bërë të ditur Juventusit se do ta presë deri në 10 gusht, pas kësaj date mund të hyjë në lojë Napoli, presidenti i të cilit, Aurelio De Laurentis është gati të ofrojë 60 milionë Euro Interit, ndërsa futbollistit t’i ofrojë një kontratë me pagë prej 7.5 milionë Euro që mund të shkojë në 10 milionë, që janë pak a shumë të njëjtat shifra që propozon edhe Juventusit. Diferenca në këtë pikës është se kampionët e Italisë nuk do të arrijnë kurrë të japin 60 milionë Euro për kartonin e futbollistit

sfidanti.al