Shkëndi, pse u turpërove në Champions? Jo duel me Sëlltikun!

Shkëndija mori pjesë për herë të tretë në Ligën e Kampioneve (LK) dhe për herë të parë u eliminua nga një klub që në rejtingun e përgjithshëm të klubeve ndodhet shumë më poshtë sesa klubi tetovar. Herën e parë, Shkëndija u eliminua nga Partizani i Beogradit që atëkohë ishte ranguar më mirë sesa klubi tetovar, kurse sezonin e kaluar Shkëndija arriti deri në raundin e tretë kualifikues të LK-së, ku u eliminua nga Salcburgu austriak që në listën e mësipërme ndodhet në një pozicion shumë më të mirë sesa ekipi tetovar.

Nome Kalju që e eliminoi Shkëndijen mbas dy ndeshjeve (0-1, 2-1) të raundit të parë kualifikues të LK-së zë vendin e 292-të Evropë, ndërkohë që klubi tetovar, para duelit prej dy ndeshjesh me klubin estonez të mësipërm, ndodhej në vendin e 178-të, pra më shumë se 100 vende më sipër! Duke qenë se Shkëndija e dominoi ndeshjen e parë në transfertë kundër ekipit të lartpërmendur estonez, duke fituar 0-1, pritej se tetovarët nuk do të kishin asnjë problem dhe ata do të kualifikoheshin në raundin e dytë, ku ata do të ndesheshin me gjigantin skocez, Sëlltik të Glasgout. Por, sifoqoftë, nuk qe e thënë, pasi ekipi estonez luajti më mirë dhe e fitoi 2-1 ndeshjen në stadiumin “Toshe Proeski”të Shkupit, duke u kualifikuar kështu për në raundin e dytë kualifikues.

Që tetovarët i kishin bërë hesapet pa hanxhinë, e tregon edhe fakti se ata tanimë kishin marrë edhe vizat britanike që të luanin në Glasgou me Selltikun! Shkëndija tani do të marrë pjesë në Ligën e Evropës, në kuadrin e se cilësajo do të luajë me Dudelanzhin luksemburgas që nuk është aspak ekip i lehtë dhe i cili, për më tepër, sezonin e kaluar, pasi kapërceu ndeshjet kualifikuese, arriti deri në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.

Sfidanti.al